8 Marsi, dita ndërkombëtare e të drejtave të grave është një datë historike, qëllimi i së cilës është shënimi i një rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë drejt realizimit të barazisë gjinore, ekonomike, politike të femrës në shoqëri.
Me kalimin e kohës, gjithnjë kjo ditë, sikur e ka humbur kuptimin e saj të vërtetë, dhe sot kjo ditë është
kthyer, më shumë në një festë tregtare në të cilën gjëja më e rëndësishme është të blesh lule apo ndonjë dhuratë tjetër.
Të rikujtojmë se 8 marsi është një kujtim i grevës së vitit 1857 në New York ku gratë punonjëse të një fabrike tekstili u ngritën për të kërkuar kushte më të mira pune. Disa burime historike thonë se gratë punonin rreth 80 orë në javë për tre dollarë. Në luftën për të drejtat e grave, një nga figurat më të shquara në histori është Clara Zetkin, me nismën e se cilës me 19 mars të vitit 1911 u organizua për herë të parë Dita Ndërkombëtare e Grave.
Vetëm pak ditë pas këtij vendimi, me 25 mars, një zjarr tragjik në New York, vrau mbi 140 gra, kryesisht vajza gjatë orarit tyre të punës. Në datën 8 mars të vitit 1917, gratë ruse protestuan për “bukë dhe paqe” për plotë 4 ditë. Që prej asaj dite, Dita ndërkombëtare e të drejtave të grave kremtohet në këtë datë.
Pasuan vitet dhe vitet e luftës së grave për barazi dhe për realizimin e të drejtave të tyre në të gjitha fushat e jetës. Edhe pse pozita aktuale e grave është më e mirë se më parë, realiteti është se ato ende janë të detyruara ta ngrenë zërin kundër dominimit gjinor, diskriminimit shoqëror dhe shfrytëzimit ekonomik!