Këtu do të gjeni përgjigjëje për pyetjet më të shpeshta, të cilat ndihmojnë për të kuptuar më mirë shërbimet, proceset dhe informacionin që ofrojmë.
Jam në aksident pune që disa muaj. Kur mund ta bëj kërkesën për pension invaliditeti/AI?
 
Është shumë e rëndësishme që kërkesa për pension invaliditeti/AI të bëhet brenda 6 muajve nga dita e parë e paaftësisë për punë, e cila zakonisht koinçidon me ditën e parë të pushimit mjekësor.
KUJDES: Në rast se kërkesa dorëzohet pas 6 muajve, ju rrezikoni të humbni të drejtën për përfitime për periudhën para dorëzimit të kërkesës për arsyje se e drejta për pension fillon, në rastin më të hershëm, 6 muaj pas dorëzimit të kërkesës – dhe JO nga dita kur ka filluar paaftësia për punë.
A kam drejtë të punojë gjatë pushimeve për një punëdhënës tjetër?

JO, nëse bëhet fjalë për një punë konkurruese që i dëmton interesat e punëdhënësit tuaj aktual dhe shkel obligimin e besnikërisë ndaj tij (neni 321a, paragrafi 3 i Kodit të Obligimeve).

A ka të drejtë Arka e Papunësisë në Zvicër të më kërkojë llogaritë e mia bankare?

PO, Arka e Papunësisë në Zvicër ( ORP / caisse de chômage / Arbeitslosenkasse ) ka të drejtë të kërkojë qasje në disa të dhëna financiare, por vetëm në rrethana të caktuara.

Këto të dhëna kërkohën për të verifikuar nëse përfituesi ka të ardhura shtesë gjatë periudhës së papunësisë, si p.sh. nga punësimi i pjesshëm, aktivitetet e pavarura, ndihma sociale apo kompensime të tjera paralele.

Njohja e atësisë : Çfarë duhet të dini

Në rast se babai biologjik i një fëmije nuk është i martuar me nënën e tij, ai duhet të bëjë njohjen e atësisë për t’u konsideruar ligjërisht si baba i fëmijës. Kur prindërit janë të martuar, bashkëshorti i nënës konsiderohet automatikisht si baba i fëmijës (parashikimi ligjor i atësisë).

Është e rëndësishme të theksohet se për njohjen e atësisë nuk kërkohet prova biologjike të atësisë. Megjithatë, personi që njeh me vetëdije një fëmijë që nuk është i tij mund të ndiqet penalisht.

Duke njohur atësinë, personi merr mbi vete të drejta dhe detyrime ligjore ndaj fëmijës, duke përfshirë:

🔴 Pranimin zyrtar si baba që nga momenti i lindjes së fëmijës;
🔴 Mundësinë e kërkimit të autoritetit prindëror të përbashkët me nënën;
🔴 Detyrimin për mbështetjen ekonomike dhe kujdesin për fëmijën;
🔴 Të drejtat e trashëgimisë midis babait dhe fëmijës.

Njohja e atësisë është një akt thelbësor për të garantuar të drejtat juridike dhe mbrojtjen e fëmijës, si dhe për të siguruar një marrëdhënie të rregullt prind-fëmijë para ligjit.

Këtu mund të shkarkoni formularin për njohjen e atësisë në Zyrën e Gjendjes Civile në Gjeneve:
https://www.geneve.ch/document/demande-reconnaissance-paternite-ville-geneve-2024

Rregullorja e re për ndihmën sociale në Gjenevë është në fuqi - Çfarë duhet të dini nëse jeni në moshë pensioni (AVS)?

Prej 1 janarit 2025, ka hyrë në fuqi rregullorja e re për ndihmën sociale dhe luftën kundër varfërisë, e cila sjell ndryshime të rëndësishme për personat në moshë pensioni (AVS), sidomos për ata që marrin njëkohësisht:

✅ Pension invaliditeti (AI), ose
✅ Përfitime plotësuese familjare (PCFam).

📍 Kërkesat e reja për ndihmë sociale tashmë trajtohen nga Hospice général dhe jo më nga Shërbimi i Përfitimeve Plotësuese (SPC).

📍 Nëse jeni pjesë e PCFam, ose jeni në moshë pensioni (AVS) apo përfitues i një pensioni invaliditeti (AI) dhe keni fëmijë, dosja juaj është transferuar te Hospice général që nga 1 janari 2025.

📍Nëse jeni vetëm apo në çift pa fëmijë, dosja juaj do të vazhdojë të trajtohet nga Shërbimi i Përfitimeve Plotësuese (SPC),
derisa të përfundojë transferimi i plotë te Hospice général më së voni deri më 31 dhjetor 2025.

✅ Ky ndryshim nuk ndikon në shumën e ndihmave që përfitoni, ndryshimi ka të bëjë vetëm me institucionin i cili menaxhon dosjen tuaj.

Afatet për Bashkimin Familjar në Zvicër

Nëse dëshironi të bashkoheni me një anëtar të familjes në Zvicër, është shumë e rëndësishme të respektoni afatet ligjore për të paraqitur kërkesën tuaj.

✅ Cilat janë afatet?

👉 Në përgjithësi, keni 5 vjet kohë për të bërë kërkesën.

👉 Për fëmijët mbi 12 vjeç, kërkesa duhet të bëhet brenda 12 muajve.

ℹ️ Afati mund të shtyhet vetëm në raste të jashtëzakonshme, për arsye serioze familjare.

Nëse jeni shtetas/e i një vendi të Bashkimit Evropian ose AELE-së, nuk ka një afat të caktuar për të bërë kërkesën për bashkim familjar (me përjashtim të pragut të moshës për fëmijët).

💬 Këshillë: Mos e vononi kërkesën! Respektimi i afateve është i rëndësishëm për të shmangur probleme me qëndrimin në Zvicër.

A jam e detyruar të informoi punëdhënësin e ardhshëm lidhur me shtatzëninë time gjatë një interviste për punë?

👉 JO. Ju nuk jeni e detyruar që të tregoni gjendjen tuaj aktuale dhe punëdhënësi nuk mund të bëjë pyetje ne lidhje me një shtatzëni të mundshme aktuale ose të ardhshme dhe lidhur me statusin tuaj familjar. Kjo pyetje do të konsiderohej si diskriminuese dhe në kundërshtim më ligjin federal për barazi. I vetmi përjashtim nga ky rregull ekziston në rast kur pozita e punës për të cilën keni aplikuar mund të jete e rrezikshme për shëndetin tuaj apo atë të fëmijës.

Punëdhënësi im dyshon në cilësinë e certifikatës sime mjekësore dhe me urdhëron të konsultohem me një mjek këshilltar. A ka të drejtë?

Po, në rast se punëdhënësi i juaj ka dyshime të justifikuara lidhur me certifikatën tuaj mjekësore ai ka të drejtë të angazhon një mjek këshilltar për një kontroll shtesë dhe pa pëlqimin tuaj. Nëse ju e refuzoni këtë urdhër, punëdhënësi mund të pezullojë pagesën e rrogës.

A ka të drejtë një kompani gjatë procesit të rekrutimit me kontaktu ish punëdhënësin tim?

Punëdhënësi i mëparshëm ose aktual nuk mund t'i japë informacion kompanisë pa pëlqimin e kandidatit në fjalë. Nëse një kompani dëshiron të marrë informacion nga ish-punëdhënësi i juaj, kërkohet pëlqimi i juaj paraprak, e rregulluar kjo me nenin 6.al.7 të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.

⚠️ Kujdes: nëse ju në CV-në tuaj e shtoni si referencë ish punëdhënësin tuaj, kjo mund të konsiderohet si pëlqim i mjaftueshëm dhe në këtë raste kompania ku je keni aplikuar nuk është në kundërshtim më Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Si ta gjej arkën përkatëse ku gjinden kontributet e mija AVS/AHV?

👉 Në vegëzen në vijim, duke shenuar daten e lindjes dhe numrin tuaj 13 shifror të AVS/AHV, mund të gjeni arkën e kompensimit ku gjinden kontributet e juaja.

📌 https://www.inforegister.zas.admin.ch/InfoWeb/result?navs=756.3545.0491.78&birthdate=

Jam me origjine nga Kosova, a me lejohet vazhdimi i qëndrimit në Zvicër pavarësisht divorcit me bashkëshortin?

Nëse keni një leje qëndrimi C ju mund të vazhdoni të qëndroni në Zvicër pas divorcit.

Mbajtësit e një leje qëndrimi B të fituar në kuadër të bashkimit familjar, mund të vazhdojnë qëndrimin në Zvicër vetëm në kushtet të caktuara, nëse:

👉 1. Keni qenë e martuar për të paktën 3 vjet dhe keni jetuar në një familje të përbashkët me bashkëshortin tuaj;

👉 2. Jeni e integruar mirë në Zvicër (gjuhë, punë etj.)

👉 3. Vazhdimi i qëndrimit tuaj në Zvicër është i domosdoshëm për arsye të mëdha personale (si p.sh. dhuna në familje).

Jam shtetas i Kosovës dhe e kam një leje qëndrimi të Francës. A e kam të drejtën e punës në Zvicër?

👉 JO. Kosova nuk është pjesë e BE-së dhe fakti që ju keni një leje qëndrimi nga një vend i Unionit Evropian nuk ju jep të drejtën për të punuar në Zvicër. Vetëm personat me kualifikime të larta mund të vijnë dhe të punojnë në Zvicër si për shembull, drejtues, specialistë apo të diplomuar në arsimin e lartë me përvojë disavjeçare profesionale dhe nëse të gjitha kushtet tjera janë të plotësuara.

Jam student nga Shqipëria dhe më kërkohet të kryej një praktik pune si pjesë e studimeve të mia. A duhet të marr një leje pune dhe/ose qëndrimi në Zvicër dhe cilat janë kushtet?

👉 PO, ju duhet të keni një leje qëndrimi. Kjo leje qëndrimi mund të lëshohet vetëm nëse praktika pune është pjesë përbërëse e studimeve tuaja. Për më tepër, kërkesat bëhen përgjithësisht përmes një organizate për vendosjen e praktikantëve si IAESTE (International Association for the Exchange of Students for Technical Experience) e cila vendos praktikantë nëpër kompani në Zvicër dhe i përcjell studentët e huaj gjatë qëndrimit të tyre në këtë shtet.

👉 Kontakti:
IAESTE
Rruga Gramoz Pashko
1001 Tiranë
Albania

0684711269 +355 68 328 1951
musacoha@gmail.com

Ku të merrni këshilla juridike falas në Gjenevë ?

Nëse po përballeni me vështirësi financiare dhe keni nevojë për këshillë juridike falas, më poshtë gjeni disa institucione në Gjenevë ku mund të merrni mbështetje dhe këshilla juridike pa pagesë:

📌Shoqata “Le Trialogue” - e specializuar në sigurimet shoqërore dhe të drejtën e punës, me fokus të veçantë në mbështetjen dhe këshillimin juridik për personat e papunë
https://www.letrialogue.com

📌Shoqata e Gjenevës për të Drejtat e Gruas – ADF
https://www.avvec.ch

📌Caritas - Këshilla juridike në fushën e shlyerjes së borxheve, azilit dhe integrimit
http://www.caritasge.ch

📌Qendra Sociale Protestante - e specializuar në të drejtën e familjes, të drejtën e azilit, të drejtën administrative dhe të drejtën e kontratave
https://www.csp.ch

📌Juris Conseil Junior – Këshilla juridike për të mitur dhe të rinj në shkollim nën moshën 25 vjeç
https://www.jcj.ch

📌Qendra LAVI – Këshilla për viktimat e veprave penale
https://centrelavi-ge.ch/

📌Shërbimi juridik i studentëve të Gjenevës (PJE)
https://www.pje-ge.ch/

Po dëbohem nga banesa si të veproj?
Pavarësisht nga statusi juaj ligjor, Shoqata ASLPP (Shoqata për Mbrojtjen e Banesave të Personave në Situatë të Vështirë) ju informon mbi të drejtat tuaja në rast dëbimi nga banesa dhe ju mbështet në të gjitha procedurat për të ruajtur banesën tuaj.
Orari i shërbimit telefonik: E hënë – e premte, nga ora 09:00 deri në 12:00, në numrin: 077 511 72 92.
Për raste urgjente që lidhen me kërcënime për dëbim apo dëbim aktual, dërgoni një email në adresën: contact@aslpp.ch me titullin «URGENT».

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur adipiscing elit. Ut elit tellus, luctus nec ullamcorper mattis, pulvinar dapibus leo.