Cila është procedura që duhet të ndiqni kur punëdhënësi juaj nuk paguan kontributet ligjërisht të detyrueshme pensionele të AVS/AHV dhe LPP/BVG?
Në rast të mos pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, LAVS parashikon dy lloje të përgjegjësive: përgjegjësinë civile sipas nenit 51 dhe 52 LAVS dhe përgjegjësinë penale sipas nenit 87 LAVS (Ligji për pensionet e pleqërisë). E njëjta gjë vlen edhe për pensionet profesionale në bazë të nenit 76 të Ligjit Federal për LPP/BVG.
Kontributet AVS/AHV
Për punëmarrësit kontributet AVS/AHV paguhen nga ju dhe nga punëdhënësi juaj i cili merr përsipër gjysmën e kontributeve sipas nenit 12 LAVS. Pjesa juaj e kontributeve zbritet direkt nga paga juaj dhe derdhet bashkë me pjesën e punëdhënësit tuaj në arkën e kompensimeve.
Fillimisht duhet të kërkoni një ekstrakt të kontributeve tek arka përkatëse e cila i menaxhon kontributet e derdhura në llogarinë tuaj individuale. Për këtë ju nevojitet karta e AVS/AHV dhe numri i juaj 13 shifror.
Ku gjinden kontributet e mija?
Përmes lidhjes vijuese arrini tek uebfaqja regjistrin informues elektronik ku mund të regjistroheni për tu informua mbi kontributet tuaja: https://www.inforegister.zas.admin.ch/InfoWeb/result?navs=756.3545.0491.78&birthdate=
Si të kërkoj një llogari individuale?
Përmes lidhjes në vijim gjeni formularin ku mund të porositni llogarinë e kontributeve tuaj të paguara në sigurimin e pensionit të pleqërisë AVS/AHV: https://www.ahv-iv.ch/fr/Mémentos-Formulaires/Demande-dextrait-de-compte https://www.zas.admin.ch/zas/fr/home.html
Nëse vërtet rezulton se punëdhënësi nuk ka paguar kontributet për periudhën e punës, është e nevojshme të denoncohet pranë arkës së kompensimit përkatëse. Është e rëndësishme qe të dërgohen të gjitha provat që e dëshmojnë periudhën e punës dhe pagën e marrë ( p.sh. kontrata e punës, fletëpagesat e pagave, etj.).
Arka e juaj e kompensimit e plotëson llogarinë e kontributeve tuaja dhe më pas e fillon një procedurë kundër punëdhënësit.
Pensionet profesionale, LPP/BVG:
Arkat kantonale të kompensimit të AVS/AHV duhet të kontrollojnë edhe regjistrimin e të gjithë personave që u kërkohet të paguajnë kontributet, e rregulluar kjo me nenin 63 al. 2 LAVS. Gjithashtu, ato duhet të sigurojnë që punëdhënësit të janë anëtarësuar me një institucion të përkujdesjes profesionale, sipas nenit 11 al. 4 LPP.
Nëse punëdhënësi juaj nuk është i regjistruar pranë asnjë Instituti të përkujdesjes profesionale, arka e kompensimit do të urdhëroi një regjistrim të detyrueshëm tek Fondacioni grumbullues i Sigurimit Pensional Profesional (Affiliation d’office – Fondation institution supplétive LPP (aeis.ch).
Nëse punëdhënësi nuk ju ka regjistruar me një institut të përkujdesjes profesionale?
Fillimisht duhet ti drejtoheni punëdhënësit tuaj me një letër duke kërkuar regjistrimin retroaktiv. Njëkohësisht shkruani edhe arkës së kompensimit të punëdhënësit tuaj duke e informuar për mungesën e regjistrimit. Është e rëndësishme që ti bashkëngjitni listat e pagës tuaj mujore ose llogarinë individuale të kontributeve të AVS/AHV.
Arka e kompensimit e punëdhënësit tuaj do të obligoj punëdhënësin për regjistrimin tuaj retroaktiv respektivisht pagesën e kontributeve të LPP/BVG dhe ju do të keni obligim ta paguani pjesën tuaj të kontributeve.
Nëse jeni të siguruar por punëdhënësi juaj nuk i ka paguar kontributet tuaja?
Ju duhet ta raportoni ketë te arka e juaj pensionale e cila pastaj do të kontaktojë organin plotësues të LPP-së. Bëhet fjalë për një organ ndihmës i cili do të përditësojë llogarinë tuaj dhe do të kthehet kundër punëdhënësit tuaj.
Nëse ju nuk e njihni arkën tuaj pensionale, duhet kontaktuar drejtpërdrejt Fondacionin e Institucionit Suplementar të LPP-së i cili do të ndërmarrë hapat e nevojshëm.
Ku mund t’i kërkoj kontributet e humbura?
Përmes lidhjes vijuese mund t’i kërkoni llogarinë e kontributeve tuaja të pensioneve profesionale: https://sfbvg.ch/fr/missions/recherche-davoirs-de-la-prevoyance-professionnelle
Përgjegjësia penale sipas Kodit penal
Në raste kur punëdhënësi juaj nuk paguan kontributet aj pasurohet në mënyrë të paligjshme dhe në dëm të punonjësit. Neni 156 i Kodit penal zviceran që ndërlidhet më keqpërdorimin e zbritjeve nga paga thotë: “ Punëdhënësi që ka shkelur detyrimin për të caktuar një zbritje nga paga për pagesën e tatimeve, bonuseve ose kontributeve të sigurimeve shoqërore ose për qëllime të tjera në emër të punëmarrësit duke i cenuar në ketë mënyrë interesat pasurore të këtij të fundit, dënohet me burgim ose me gjobë”.
Kjo vepër ndiqet penalisht me denoncim të punëmarrësit ku shpjegohen të gjitha faktet, drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm në kantonin tuaj të banimit. Është e këshillueshme qe gjatë kësaj procedure të jeni të shoqëruar nga një profesionist apo një organizatë për mbrojtje të drejtave të punëtoreve.
Kujdes: Procedura penale ju këshillohet vetëm personave me status të rregulluar në Zvicër!