Nesër, më datën 14 qershor, mijëra gra të organizuara në mbarë shtetin e Zvicrës do të protestojnë kundër shtypjes dhe diskriminimit gjinor. Ato, do të zgjojnë edhe njëherë vëmendjen me moton duke kërkuar më shumë RESPEKT, KOHË dhe PAGË.
Të rikujtojmë se deri në vitin 1971 e drejta e votës ishte një privilegj i “rezervuar” vetëm për gjininë mashkullore. U deshën më shumë se 100 vjet luftë të gjatë feministe që gratë të fitojnë të drejtat e tyre politike në të gjitha nivelet të shtetit helvetik dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes. Kantoni Appenzell Innerrhoden i urdhëruar nga Gjykata Kushtetuese, ishte kantoni i fundit i cili në vitin 1990 e pranoi të drejtën e votës për gratë.
Kjo vonesë ka ardhur si rezultat i traditës konservatore zvicerane, e cila, bazohej në një sistem patriarkal ku fushat publike dhe private ishin të ndara në mënyrë të rreptë. Për shembull, politika preferohej të ushtrohej nga burrat, ndërsa kujdesi për familjen dhe punët shtëpiake, mbetnin nën përgjegjësinë e grave. Kjo bënte që ato të mbeten krejtësisht të varura nga burrat.
Edhe sot, 32 vite pas grevës së parë të grave në Zvicër, dhe katër vite pas protestës masive e cila mobilizoj rreth 500 000 njerëz, gratë ende vazhdojnë të përballen me padrejtësi të shumta në jetën e tyre të përditshme.
Kur kësaj gjendjeje i shtohet edhe kriza shëndetësore globale, e cila ka pas një ndikim jashtëzakonisht negativ për punësimin e grave, por edhe për qëndrueshmërinë e tyre në tregun e punës zviceran. Me pagë zakonisht të ulët në fushat më të prekura nga pandemia Covid-19, gratë ishin pikërisht ato të cilat morën përsipër pjesën ma të madhe të përgjegjësisë për kujdesin që rezultoi nga mbyllja e shkollave dhe aktiviteteve te ndryshme. Izolimi i detyruar dhe distancimi shoqëror kanë shkaktuar edhe një rritje të konsiderueshme të dhunës ne familje.
Diskriminimi gjinor, shtypja, paga dhe pensione të ulëta, mungesa e përputhshmërisë midis jetës profesionale dhe asaj familjare, por edhe ngacmimet seksuale si dhe dhuna ne familje janë arsyet kryesore të organizimit të kësaj proteste. Sindikatat, shoqatat dhe kolektivet feministe në Zvicër bëjnë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën që do zhvillohet nesër, për të kërkuar më shumë RESPEKT, KOHË dhe PAGË!
SOLIDARIZOHU EDHE TI ME GREVEN! BEHU PJESË E KËSAJ LEVIZJE!
Programin e plotë mund ta gjeni në linkun: www.grevefeministe.ch; www.14juin.ch