Në një atmosferë të ngrohtë dhe frymëzuese, në Gjenevë të Zvicrës u organizua një mbrëmje e veçantë kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Drejtave të Grave 8 Marsit, e cila mblodhi së bashku gra të komunitetit shqiptar që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër. Aktiviteti u shndërrua në një hapësirë reflektimi, bashkëbisedimi dhe motivimi, ku u prezantua edhe nisma e re “Zëri i Gruas LIRA”, pjesë e platformës e-drejtajote.ch.
Kjo iniciativë synon të krijojë një platformë dialogu dhe mbështetjeje për gratë shqiptare në mërgatë, veçanërisht për ato që jetojnë në shtetin helvetik. Përmes kësaj nisme synohet të trajtohen çështje të rëndësishme që lidhen me të drejtat e grave, barazinë gjinore, mirëqenien sociale, si dhe me sfidat e integrimit në shoqërinë zvicerane.
Mbrëmja u hap nga udhëheqësja artistike, zonja Nerxhivane Sejdiu Ferati, e cila nënvizoi se këto takime janë një mundësi për të reflektuar mbi rolin dhe kontributin e gruas në shoqëri, si dhe për të forcuar lidhjet mes grave që jetojnë larg vendlindjes, por që ndajnë të njëjtat vlera dhe aspirata.
Atmosferën e mbrëmjes e bëri edhe më domethënëse prania e udhëheqëses së Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, zonjës Floreta Kabashi Ademaj, e cila mori pjesë si e ftuar nderi e organizatorëve. Prania e saj u vlerësua si një mbështetje e rëndësishme për iniciativat që fuqizojnë gratë shqiptare në mërgatë dhe promovojnë bashkëpunimin brenda komunitetit.
Mbrëmja u karakterizua nga një frymë bashkëpunimi dhe solidariteti, duke dëshmuar se gratë shqiptare në diasporë vazhdojnë të jenë një forcë e rëndësishme në ruajtjen e identitetit, promovimin e vlerave dhe në ndërtimin e urave të reja komunikimi në shoqëritë ku jetojnë.
Prezantimi i nismës “Zëri i Gruas LIRA”
Në fjalën e saj hyrëse, themeluesja e nismës, zonja Linda Rexhaj-Maliqi, theksoi se ideja për krijimin e platformës “LIRA” lindi nga përvoja dhe nevoja për të dëgjuar dhe fuqizuar zërin e gruas shqiptare në mërgatë. Ajo shpjegoi simbolikën e emrit të nismës, i cili përfaqëson lirinë dhe vlerën e gruas. “LIRA si liri – liria për të ngritur zërin tonë, për të zgjedhur rrugën tonë dhe për të qenë arkitekte të fatit tonë. LIRA si vlerë – sepse gruaja shqiptare është një aset i çmuar për familjen, komunitetin dhe shoqërinë,” theksoi Znj. Maliqi.
Në fjalën e saj në vazhdim ajo përmendi rrugëtimin e integrimit të grave shqiptare në Zvicër. Duke kujtuar shumë gra që erdhën në fillim të viteve ’80, përmes bashkimit familjar, dhe të cilat u përballën me izolim, vështirësi gjuhësore dhe një realitet të ri shoqëror. Me kalimin e viteve, sidomos gjatë periudhës së viteve ’90 me ardhjen e refugjatëve nga luftërat në Ballkan, roli i gruas shqiptare në mërgatë filloi të ndryshojë.
“Sot, pas dekadash përpjekjeje dhe sakrifice, gratë shqiptare janë të pranishme në shumë fusha të jetës publike dhe profesionale në Zvicër, duke dëshmuar përkushtim, aftësi dhe sukses,” theksoi ajo.
Ajo nuk la pa përmendur as kontributin e grave që për arsyje të ndryshme kanë zgjedhur të qëndrojnë në shtëpi, të cilat luajnë një rol kyç në edukimin dhe rritjen e gjeneratave të reja të cilët sot janë një nga shëmbujt më të suksesshem në mbarë botën. Znj. Rexhaj-Maliqi në fund nënvizoi se barazia gjinore nuk është një garë mes grave dhe burrave, por një aleancë për një shoqëri më të drejtë dhe më të balancuar.
Në vazhdim fjalën e mori udhëheqësja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, Floreta Kabashi Ademaj, e cila përgëzoi znj. Linda Rexhaj-Maliqi dhe organizatorët për iniciativën dhe theksoi rëndësinë e rolit të gruas shqiptare në zhvillimin e shoqërisë.
Ajo vuri në dukje se gruaja shqiptare është sot gjithnjë e më e pranishme në proceset vendimmarrëse dhe në jetën publike, duke kontribuar në mënyrë të rëndësishme në çdo fushë të jetës. Sipas saj, ky progres është rezultat i përkushtimit dhe këmbënguljes së grave për arsimim, punë dhe angazhim shoqëror gjatë dekadave.
Në përfundim, ajo falënderoi themeluesen e platformës, zonjën Linda Rexhaj-Maliqi, për këtë nismë, duke shprehur bindjen se projekte të tilla do të vazhdojnë të fuqizojnë rolin e gruas, jo vetëm në mërgatë, por kudo ku jeton dhe vepron gruaja shqiptare.
Më pas, të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i shoqatës “Komuniteti Shqiptar” në Gjenevë, Nasuf Nuhiu. Shoqatë kjo e cila kishte përkrahur në mbarëvajtjen e kësaj mbrëmje. Ai shprehu mbështetjen e plotë për këtë iniciativë dhe vlerësoi kontributin e grave shqiptare në organizimet dhe aktivitetet e komunitetit ndër vite.
Z. Nuhiu theksoi se në shumë veprimtari kulturore, humanitare dhe shoqërore të organizuara nga komuniteti shqiptar në Gjenevë, gratë kanë qenë gjithmonë në ballë të organizimit dhe mobilizimit, duke dhënë një kontribut të çmuar për ruajtjen e identitetit dhe traditave shqiptare në mërgatë.
Programi artistik i mbrëmjes nisi me interpretimin e poezisë “Ti grua” nga poetja Fatime Kalimashi, e cila u mirëprit me duartrokitje nga publiku. Poezia solli emocione dhe reflektim mbi forcën, sakrificën dhe dinjitetin e gruas.
Atmosfera artistike vijoi me interpretimin me violonçel nga Laura Goga, e cila solli para publikut disa pjesë të njohura muzikore, ndër to “Për ty atdhe”, një pjesë nga repertori i “Piazzolla” dhe “Après un rêve”. Interpretimi i saj u vlerësua për ndjeshmërinë artistike dhe krijoi një moment të veçantë në mbrëmje. Pas pikave artistike mbrëmja vazhdoi me temën bosht të kësaj mbrëmje tryezën e diskutimit
Përvoja dhe sfidat e gruas shqiptare në mërgatë
Momente të rëndësishme të kësaj mbrëmje ishte paneli i diskutimit, ku morën pjesë katër figura të gruas shqiptare nga gjenerata të ndryshme dhe fusha të ndryshme të jetës profesionale: Luljete Hoxha Syljemani, asistente sociale, Rrezarta Sejdiu – Shatri, animatore socio edukative dhe koordinatore e shoqatës Rinia Contact, Dr. Fortesa Mehmeti, Shefe e klinikës dhe funksion Drejtuese në Njësinë e Kujdesit Intensiv Pediatrik në HUG dhe Elda Gashi, studente e Shkencave të Edukimit dhe kryetare e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Gjenevë. Përmes këtij bashkëbisedimi u ndanë përvoja personale dhe u reflektua mbi rrugëtimin e gruas shqiptare në mërgatë, duke diskutuar sfidat dhe arritjet në procesin e integrimit.
Diskutimi u përqendrua në disa tema kryesore, si rrugëtimi personal i integrimit, ruajtja e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar, balancimi mes rolit të gruas në familje dhe karrierës profesionale, si dhe reflektimi mbi përvojat e deritanishme dhe mesazhet për të ardhmen. Përmes këtyre rrëfimeve dhe mendimeve, paneli solli një pasqyrë të qartë të sfidave, por edhe të sukseseve të grave shqiptare në shoqërinë zvicerane.
Gjatë prezantimit të panelisteve, secila prej tyre ndau shkurtimisht historinë e saj personale, duke folur për rrugëtimin e integrimit në shoqërinë zvicerane dhe për sfidat kryesore me të cilat janë përballur në vitet e para. Ato treguan për përpjekjet për të mësuar gjuhën, për të ndërtuar një karrierë profesionale dhe për të gjetur vendin e tyre në një shoqëri të re, duke ruajtur njëkohësisht identitetin dhe vlerat e tyre kulturore. Një temë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe balancimi mes rolit të gruas në familje dhe zhvillimit profesional.
Në vazhdim zonja Linda Rexhaj-Maliqi duke prezantuar Dr. Fortesa Mehmeti, dhe duke dhënë një shembull integrimi dhe suksesi të gruas shqiptare në mërgatë, ajo ndau një kujtim prekës në rolin e saj të nënës. Ajo kujtoj një histori që bashkon tri gjenerata: dhimbjen, shpëtimin dhe krenarinë. Duke folur për rastin e njohjes me doktoreshën, ajo tregoi momentin kur në vitin 2018 në emergjencën pediatrike të spitalit të Gjenevës u njoh me mjeken shqiptare Dr. Fortesa Mehmeti, e cila i kishte bërë aq shumë për jetën e djalit të saj, Trimit. Doktoresha Fortesa, që dikur si fëmijë 5 vjeçar kishte kaluar një rrugëtim të gjatë dhe të vështirë nga Kosova deri në Zvicër udhëtonte drejt shpëtimit, dhe që sot shpëton jetë. Rrëfimi i saj i sinqertë ngjalli emocione tek të pranishmit dhe ishte një tablo e bukur e prezantimit të femrës shqiptare në jetën helvetike.
Paneli u shoqërua edhe me reflektime të rëndësishme mbi ruajtjen e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar tek brezat e rinj që rriten në diasporë. Panelistet, theksuan se familja dhe komuniteti kanë një rol të pazëvendësueshëm në transmetimin e kulturës, traditave dhe vlerave shqiptare tek fëmijët.
Në fund të diskutimit, Mesazhi i përbashkët ishte që të besojnë në veten e tyre, të investojnë në arsimim, të mos kenë frikë nga sfidat dhe të ndjekin ëndrrat e tyre me guxim dhe këmbëngulje, duke mbajtur gjithmonë krenari për rrënjët dhe identitetin e tyre. Kjo tryezë diskutimi ishte një reflektim dhe frymëzim për të gjithë të pranishmit, duke treguar se rrugëtimi i gruas shqiptare në mërgatë është një histori përpjekjeje, suksesi dhe shprese për të ardhmen.
Bashkëbisedimi u pasurua edhe nga rrëfimet e të pranishmëve në sallë, ku disa pjesëmarrës ndanë rrëfime dhe përvoja personale që lidhen me orientimin dhe integrimin e gruas shqiptare në shoqërinë zvicerane. Këto dëshmi e bënë diskutimin edhe më të gjallë dhe autentik, duke treguar se rrugëtimi i integrimit është një proces i përbashkët, i ndërtuar mbi përvojat, sfidat dhe sukseset e shumë grave shqiptare në diasporë.
Në përfundim të programit, publiku pati rastin të shijojë edhe interpretimin muzikor të flautistes Vesa Ilazi, e cila interpretoi pjesët “Baresha” dhe “Clair de lune”. Mbrëmja u mbyll me një aperitiv dhe bashkëbisedim të lirë mes të pranishmëve, në një atmosferë miqësore dhe reflektuese.
Organizatorët theksuan se nisma “Zëri i Gruas LIRA” synon të vazhdojë me aktivitete dhe projekte të tjera në të ardhmen, duke krijuar një platformë të qëndrueshme për fuqizimin e gruas shqiptare në mërgatë dhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit brenda komunitetit jo vetëm femëror por mbarë shqiptarë gjithandej nga jetojnë e veprojnë mërgata jonë./Redaksia Alb’Swiss TV/
Foto: Mentor Zajmi / Alb’swiss TV










